Menaxhmenti i zgjedhjeve
ka të bëjë kryekëput me infrastrukturën administrative që kërkohet për të
mbështetur procesin demokratik të zgjedhjeve. Zgjedhjet e suksesshme nuk
ndodhin pa përgatitje dhe planifikim. Ato janë ngjarje të mëdha dhe të
kushtueshme, të cilat rezultojnë me përfundimin e një sërë punësh të mëdha dhe
të vogla, ku përfshihen një numër i madh i njerëzve, e ku të gjithë duhet të
jenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre në procesin zgjedhor dhe të japin
llogari për veprimet e veta në bazë të ligjit.
Jo vetëm që zgjedhjet
janë të kushtueshme për t’u përgatitur dhe udhëhequr, por edhe moszhvillimi i
zgjedhjeve mund të jetë i kushtueshëm. Kjo ndodh për shkak se financimi nga
organizatat ndërkombëtare siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka
Botërore mund të varen nga ekzistimi i një shoqërie demokratike, ose për shkak
se edhe protestat popullore kundër qeverisë së pazgjedhur mund ta çrregullojnë
ekonominë e vendit. Për ta balancuar nevojën për zgjedhje kundrejt kostos së
zgjedhjeve, qëllimi i ligjvënësve, administratorëve të zgjedhjeve dhe i të
tjerëve që përfshihen në proces duhet të jetë mbajtja e shpenzimeve në nivelin
që përballohet lehtë me mjete që i ka në dispozicion vendi i tyre.
Poashtu zgjedhjet nuk
janë testi i vetëm i një shoqërie demokratike. Gjithnjë e më shumë në skenën
botërore po pranohet se mbajtja e zgjedhjeve nuk është garanci se vendi është
në gjendje ta kalojë ” kontrollin mjekësor demokratik.” Zgjedhjet dhe mundësia
e ardhjes në pozitë e udhëheqësve të rinjë është pjesë shumë e rëndësishme e
çdo sistemi demokratik, por ai është ndërveprim në mes të njerëzve dhe degëve
dhe niveleve të ndryshme të qeverisë gjatë periudhës së caktuar kohore mes
zgjedhjeve që është tregues më i besueshëm i shëndetit të një demokracie.
Në vitet 1980-ta dhe
1990-ta demokratizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve u përshpejtuan me një shkallë të
paparë. Në ato vite menaxhmenti i zgjedhjeve u bë më i sofistikuar.Gjithnjë e
më shumë pranohet se zgjedhjet e suksesshme arrihen me anë të një administrate
të plotësuar me personel profesional, të pajisur mirë dhe të financuar në
mënyrë adekuate. T. S. Seshan, ish-kryekomisioner i zgjedhjeve në Indi dhe
njeriu përgjegjës për zgjedhjet në demokracinë më të madhe botërore bënte këto
komente në vjeshtën e vitit 1996 se "...zgjedhjet e mira kërkojnë katër
elemente: një ligj të zgjedhjeve të ujdisur plotësisht që të sigurojë zgjedhje
të lira dhe të drejta; një komision të zgjedhjeve që të jetë vërtetë autonom
dhe pa frikë; procedura që mundësojnë që bile edhe burri dhe gruaja më e vogël
të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit lirisht dhe pa frikë; dhe një
elektorat që është plotësisht i vetëdijshëm për të drejtat dhe përgjegjësitë e
veta.”
India ka 590 milion
votues, të cilët në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1996, shkuan të votojnë
në 825,000 kabina të votimit, ku asnjëri prej tyre në rrafshira nuk ka ecur më
shumë se dy kilometra, ndërsa nëpër kodra, nuk ka ecur më shumë se katër
kilomentra. Çdo kabinë e votimit ishte plotësuar me prej pesë deri shtatë
punëtorë, që do të thotë se u punësuan gjithsej më shumë se 5 milion njerëz për të organizuar zgjedhje, në
të cilat u harxhuan njëzetepesë mijë tonë letër, dhe që kushtuan rreth 200$
milion.
Gjithnjë e më shumë,
nevoja për një qasje profesionale është trajtuar me formimin e grupimeve
nacionale dhe pan-nacionale të zyrtarëve të zgjedhjeve dhe e urgjencës së
mundësive të shkollimit të specializuar profesional. Instituti Federal i
Zgjedhjeve i Meksikës (IFE) ka krijuar Shërbimin Elektoral Profesional (SPE),
një sistem të karrierës për punëtorët e specializuar që synon të sigurojë
personel të kualifikuar për t’i përmbushur nevojat e këtij shërbimi elektoral.
Kërkesa e SPE-së që individët që punojnë në kuadër të tij, të ndërmarrin tipe
të ndryshme të shkollimit profesional gjatë tërë karrierës së tyre ka
kontribuar dukshëm në profesionalizimin e punës së IFE-s.
Ekzistojnë edhe
organizata të tjera profesionale që mbulojnë Shtetet e Bashkuara, Evropën
Qendrore dhe Lindore, Afrikën, Paqësorin, Azinë dhe Karaibet. Në Britaninë e
Madhe, është hartuar një provim për njerëzit që punojnë në administratën e
zgjedhjeve. Kolegji i Komunitetit Barbados në Bridgetown ka ofruar një kurs
çertifikues katër javor për administrim të zgjedhjeve në pjesën e parë të vitit
1994. Një nga një, shtete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara janë duke ngritur
standarde për zyrtarët e tyre lokalë të zgjedhjeve kanë filluar të ofrojnë
programe trajnimi. Edhe ndihma ndërkombëtare po fillon të bëhet më e përqendruar
në nevojat e trajnimit të organeve të zgjedhjeve se në nevojat materiale.
Menaxhimi i zgjedhjeve
ka të bëjë me përzgjedhjen e sistemit të duhur për rrethana të caktuara.
Ekzistojnë shumë modele që duhet të ndjeken gjatë menaxhimit të procesit të
zgjedhjeve; zgjedhja e përfundimtare në masë të madhe varet nga rrethanat
historike dhe kulturore të vendit në fjalë, nivelit të sofistikimit, situatës
financiare dhe politike dhe arsimimit të njerëzve të tij. Menaxhmenti i
zgjedhjeve po njihet si shërbim që në shumë mënyra i krahasueshëm me sektorë më
tradicional të shërbimit, dhe shumë teste të efikasitetit që shfrytëzohen në
këta sektorë mund të zbatohen në menaxhimin e zgjedhjeve.
Për nevojat e kësaj
pune, menaxhmeti i zgjedhjeve përfshin një organ të ngarkuar me përgjegjësinë
për organizimin e zgjedhjeve dhe përpilimin e listave të votuesve. Shpesh këto
funksione kombinohen nën përgjegjësinë e një organizate ose individi, por mund
tër kryhen nga organizata të ndryshme.
Nuk ka mënyrë më të mirë
për ta strukturuar një organizatë, dhe themelimi i një organi për menaxhimin e
zgjedhjeve (OMZ) që të jetë përgjegjëse për këto aktivitete, në mënyrë të
pashmangshme do të përfshijë kompromise midis lloj-lloj kërkesash dhe nevojash
që konkurojnë njëra me tjetrën. OMZ-së mund t’i jepen shumë funksione, duke
përfshirë si vijon:
mbajtjen e zgjedhjeve dhe të
referendumeve
përpilimin dhe/ose mirëmbajtjen e
regjistrit të votuesve
promovimi
i vetëdijësimit të publikut për çështje të zgjedhjeve duke zhvilluar programe
të edukimit qytetar dhe ato informative për pjesëtarët e publikut, veçanërisht
për femra, të rinjë, analfabetë dhe minoritete në pozitë të disfavorshme
trajnimin e zyrtarëve të
zgjedhjeve
informimin
rreth procesit të zgjedhjeve të kandidatëve, partive politike dhe personave të
tjerë të cilët preken nga kjo
të
siguruarit që femrat dhe minoritetet të jenë në gjendje që të marrin pjesë
plotësisht në procesin e zgjedhjeve
hartimin e rregullorëve me të cilat
udhëhiqet procesi i zgjedhjeve
zbatimi i ligjit të zgjedhjeve
hulumtimin
e politikave zgjedhore dhe çështjeve tjera që kanë të bëjnë me këto
sigurimin
e informacionit dhe të këshillave rreth çështjeve të zgjedhjeve për qeverinë,
ligjislaturën, departamentet e ekzekutivit
përfshirjen në bashkëpunimin dhe
ndihmën ndërkombëtar
Në Zgjedhjet e Lira dhe
të Drejta: E Drejta dhe Praktika Ndërkombëtare, Profesori Guy Goodwin-Gill
argumenton se:
Përvoja dhe praktika
shtetërore e kohëve të fundit vërtetojnë nevojën për mbikëqyrje të procesit të
zgjedhjeve ... [dhe] për përgjegjësi institucionale për implementim nëpërmjet
zyrtarëve të paanshëm të zgjedhjeve… Një mekanizëm mbikëqyrës që gëzon besimin
e partive dhe të elektoratit, bën presion në situatat e tranzicionit, për
shembull, nga sistemet njëpartiake në ato shumëpartiake, ose saherë që vihet në
dyshim paanshmëria e autoriteteve administrative. Institucionalizimi efektiv i
të drejtave themelore zgjedhore dhe politike i obligon shtetet… që të krijojnë
një sistem të përshtatshëm elektoral, për të implementuar obligimet
ndërkombëtare, sa u përket të drejtave individuale, [dhe]…që të krijojnë një
mekanizëm efikas të paanshëm dhe/ose të baraspeshuar për menaxhimin e
zgjedhjeve legjislative.1
OMZ-ja duhet të
udhëhiqet nga parimet e menaxhimit profesional, çfarëdoqoftë përbërja dhe
detyrat e këtij organi. Menaxhimi i zgjedhjeve i kushton shtetit. Përveç
shpenzimeve të vazhdueshme në rast të një OMZ-je të përhershme, shpenzimet prej
4 deri në 6$ për një votues janë tipike shpenzimet e zgjedhjeve në demokracitë
e zhvilluara.
Poashtu është detyrë për
t’i kryer këto funksione në mënyrë sa më profesionale që të jetë e mundur në
kontekstin e ofrimit të shërbimit ndaj elektoratit, në mënyrë që të gjithë të
mund të kenë qasje sa më shumë që të jetë e mundur. Zgjedhjet që
efektivisht i privojnë nga mundësia e
votimit pjesë të kualifikuara të elektoratit, qoftë përmes vendosjes së
vendvotimeve ose pengesave fizike ndaj personave të paaftë nuk janë tërësisht
demokratike.
Në hyrje të librit të
tij Direito Eleitoral Positivo, Torquato Jardim, ish-anëtar i tribunalit të
zgjedhjeve të Brazilit, shkruante: "Në shtetin demokratik ku sundon ligji,
i bazuar në sistemin e lirive civile, që kushtëzon veprimet e shtetit, i rrallë
është funksioni i shtetit që i kryer në mënyrë jo të saktë ose të
pamjaftueshme, mund t’i lëndojë aq shumë, aq thellë, sa administrimi i procesit
të zgjedhjeve.2
Menaxhmenti i zgjedhjeve
është shërbim që është epiqendër e vemendjes masive në kohën e zgjedhjeve, por
që di të injorohet ose të lihet jashtë vemendjes kur nuk mbahen zgjedhje ose
kur nuk pritet të ketë zgjedhje.
Zgjedhjet kurrë nuk
duhet të lihen jashtë vemendjes. Përvoja në shumë vende ka treguar rreziqet e
zvogëlimit të rolit të një OMZ-je mes zgjedhjeve.
Bile edhe gjatë
periudhave kur shqyrtimi publik është më i ulët, ata që janë të përfshirë në
zgjedhje, që nga ligjvënësit, partitë politike e deri të grupet civile dhe
menaxherët e zgjedhjeve duhet të punojnë së bashku për ta përmirësuar procesin
dhe për t’u siguruar që organizata administrative të jetë e aftë që kur është e
nevojshme t’i përgjigjet thirrjes për zgjedhje të reja. Gatishmëria dhe
përmirësimet e vazhdueshme janë dy arsyet parimore në dobi të krijimit të përhershmërie
sa më të madhe të mundshme në organizatë.
Periudha në mes të
zgjedhjeve është një kohë e shkëlqyeshme që të kalohet duke planifikuar dhe
duke implementuar programet për modernizim. Për arsye se menaxhimi i procesit
zgjedhore ngërthen trajtimin e sasive të mëdha të të dhënave, kompjuterizimi
mund të jetë njëra nga mënyrat e përmirësimit të efikasitetit dhe të
besueshmërisë së këtij proces. Shpenzimet e kompjuterizimit duhet të kihen
parasysh në kontekst të secilit vend; ku fuqia punëtore është e lirë, por
infrastruktura e domosdoshme për të mbështetur sistemin e kompjuterizuar është
e dobët, mund të ndodhë që puna të kryhet më lehtë pa kompjuterizim.
Dokumentet për këtë
tematikë do t’ju ndihmojnë në dhënien e përgjigjeve ndaj pyetjeve mbi këto dhe
aspektet tjera qenësore të menaxhimit të zgjedhjeve. Kur ka në dispozicion
informacion shtesë në një fushë tjetër tematike, atëherë janë dhënë nyjet
elektronike që çojnë në këto dokumente [fajlla].