Pse 'Zgjedhjet dhe teknologjia'?
Teknologjia është qenësore për zhvillimin e zgjedhjeve. Teknologjia
përdoret në çdo fazë të procesit të zgjedhjeve, p.sh. për përpilimin e listave
të votuesve, skicimin e kufijve elektoral, punësimin dhe trajnimin e
personelit, shtypjen e fletëvotimeve, zhvillimin e fushatave për edukimin e
votuesve dhe publikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Zbatimi i përshtatshëm i
teknologjisë në zgjedhje mund ta rrisë efikasitetin administrativ, mund t’i zvogëlojë
shpenzimet afatgjate dhe mund të rrisë transparencën politike.
Teknologjitë që
shfrytëzohen për zgjedhje mund të jenë ‘të vjetra’, si shtypshkronjat, lapsat
me sferëza, shtypësit e doracakëve, kalkulatorët elektronikë dhe radiot, ose
teknologjitë ‘e reja’ si: kompjuterët, skenerët optikë, hartuesit digjital të
hartave dhe interneti. Pa qasje në teknologji, logjistika moderne e zgjedhjeve
të shkallës së madhe do të ishin jashtë mundësive tona.
Kompleksiteti i
teknologjisë që shfrytëzohet për zgjedhje në botë ndryshon në masë të madhe.
Shkalla e ndryshimit teknologjik është aq e shpejtë saqë organet për menaxhimin
e zgjedhjeve (OMZ) duhet që rregullisht ta rivlerësojnë shfrytëzimin e
teknologjisë, për të vendosur se a duhet që ata të përshtasin teknologji të re
apo teknologji të ripërtrirë për të përmirësuar kryerjen e detyrave të veta.
Kjo fushë tematike,
Zgjedhjet dhe teknologjia synon t’u ndihmojë OMZ-ve në këtë punë përmes:
Përshkrimit
të teknologjive që përdoren aktualisht në proceset zgjedhore
Ofrimit
të udhëzimeve për OMZ-të duke shqyrtuar adaptimin dhe zbatimin e teknologjisë
së re
Dhënies
së shembujve për ‘praktikat më të mira’ në përdorimin e teknologjisë, si dhe
rastet kur kjo teknologji nuk i ka përmbushur ato që janë pritur
Shqyrtimit
të mundësisë që në të ardhmen disa nga teknologjitë që do të dalin të mund të
aplikohen në zgjedhje në Shekullin 21.
Fushë tematika Zgjedhjet
dhe teknologjia ndryshon nga fushë tematikat tjera të përfshira në projektin
Administrimi dhe Kostoja e Zgjedhjeve (AKZ).
Aty ku fushë tematikat
tjera përfshijnë aspekte specifike të procesit të zgjedhjeve, fushë tematika
Zgjedhjet dhe teknologjia përfshin teknologjinë e përshtatshme për cilëndo
pjesë të procesit të zgjedhjeve.
Kjo nuk është
paramenduar të nënkuptojë që shfrytëzimi i teknologjisë në zgjedhje paraqet një
fund në vetvete. Por ajo më shumë është njohje/pranim se zgjidhje të njëjta
teknologjike mund të zbatohen në shumë aspekte të ndryshme të procesit të
zgjedhjeve. Për shembull, bazat elektronike të të dhënave mund të shfrytëzohen
pothuajse për çdo pjesë të procesit të zgjedhjeve, duke përfshirë listat e
votuesve, inventarin, pagat e personelit, votimin përmes postës, numërimin e
votave dhe përhapjen e rezultateve.
Ashtu që shfrytëzuesit
mund ta lidhin shfrytëzimin e teknologjisë për procese specifike të zgjedhjeve,
fushë tematika, Zgjedhjet dhe teknologjia përmban lidhje me fushat tematike përkatëse në Projektin e
AKZ-së. Rishikimet më të vonshme të projektit të AKZ-së përfshijnë lidhjet nga
këto fushat tjera tematike me referencat përkatëse teknologjike në fushën
tematike Zgjedhjet dhe teknologjia.
Çka nënkuptojmë me
‘teknologji’
‘Teknologjia’mund të
përkufizohet thjesht si çdo gjë në të cilën përfshihet aplikimi i shkencës dhe
inxhinierisë. Ky është një definicion shumë i gjërë që mund ta përfshijë çdo
artikull të prodhuar. Për qëllimet e kësaj fushe tematike, neve na nevojitet
një definicion më i kufizuar që është më drejtpërdrejt relevant për menaxhimin
e zgjedhjeve.
Ne mund ta shfrytëzojmë
‘teknologjinë e re’, por çka është e re në një vend mund të jetë e vjetër në
ndonjë tjetër. 'Teknologjia e re' ka edhe kuptim evolues. Shtypshkronja e
Gutenberg-ut, ora e dorës, shkruesit e doracakëve dhe lapsat me sferëza ishin
shembujt e ‘teknologjisë së re’ atëherë kur janë krijuar. Tani këto sende
vështirë se mund të konsiderohen’teknologji’fare.
Kur njerëzit diskutojnë
për ‘zgjedhjet dhe teknologjinë’ në vitet e 2000-ta, ata iu referohen
kompjuterëve dhe artikujve që kanë të bëjnë me elektronikën, si skenerave,
lexuesve të barkodeve dhe internetit. Por ka edhe shembuj të tjerë të
teknologjisë për zgjedhje që nuk i përfshin drejtpërdrejt kompjuterat, siç janë
pajisjet e votimit të prodhuara nga kartoni ose plastika.
Për ta mbajtur këtë
fushë tematike brenda një madhësie të dobishme, ne do ta kufizojmë definicionin
tonë të ‘teknologjisë’ që të përfshijë pikësëpari pajisjet elektronike dhe
mekanike që përfshijnë jo vetëm pajisjet e kompjuterizuara. Njëfarë referimi do
t’u bëhet edhe inovacioneve elektronike që kanë aplikim specifik në zgjedhje.
Kështu që ky definicion mund të përfshijë teknologjinë ‘e vjetër’ ekzistuese,
si dhe teknologjinë ‘re’ që po krijohet dhe zhvillohet.
Në këtë fushë tematike
shkurtimisht do të trajtohen teknologjitë që po krijohen. Mirëpo ajo do të
përqëndrohet kryesisht në çështje më praktike, siç është, çfarë teknologjish
janë duke u shfrytëzuar aktualisht nëpër botë? Si mund të zbatohen këto
teknologji në rastin tonë? Si mund t’i përmirësojmë teknologjitë që aktualisht
jemi duke i përdorur?
Zbatimi i teknologjisë
për qëllime të zgjedhjeve
Ekzistojnë shumë aspekte
që duhet të shqyrtohen kur zbatohet teknologjia për qëllime të zgjedhjeve. Më
poshtë janë disa nga më kryesoret.
Zgjedhjet janë
veprimtari me rrezik të lartë. Ato duhet të bëhen si duhet, të hapura për
shqyrtim të publikut dhe të bëhen për herë të parë. Për dallim nga aplikimet
tjera të teknologjisë, ku sistemet mund të futen në përdorim gradualisht me
orare të zgjatura të testimit dhe të implementimit, shumë sisteme të zgjedhjeve
do të përdorën ‘direkt’ vetëm një herë, ndërkaq sistemet duhet të punojnë mirë
qysh herën e parë ose tërë zgjedhjet mund të dështojnë.
Mbase gjëja kryesore për
t’u shqyrtuar është se a keni nevojë ta avanconi teknologjinë ekzistuese apo të
futni në përdorim teknologji të re. Në disa raste, kostoja ose rreziku mund të
jetë tepër i lartë dhe ndoshta është më e përshtatshme që të vazhdohet me
shfrytëzimin e sistemeve ekzistuese.
Shfrytëzimi i teknologjisë
për procesin e zgjedhjeve mund të jetë i kushtueshëm, sidomos në fazën e
implementimit. Shumë zgjidhje teknologjike mund të kushtojnë shumë më shumë se
proceset ekuivalente manuale që ato i zëvendësojnë. Mund të mos jetë gjithmonë
ekonomike nga aspekti i kostos të implementohet teknologjia e re, aty ku
përmirësimet relativisht të vogla nuk i justifikojnë shpenzimet shtesë. Nuk
është e thënë që duhet të implementoni një zgjidhje teknike të sofistikuar por
me kosto të lartë nëse një zgjidhje teknike me ulët alternative me kosto më të
ulët është e pranueshme në rrethanat tuaja të veçanta.
Prapëseprapë ka raste
kur teknologjia mund edhe t’u kursejë para në afat më të gjatë. Duhet t’i
peshoni shpenzimet dhe kursimet të lidhura me futjen në përdorim të teknologjisë.
Kur veproni ashtu, duhet të keni parasysh jo vetëm shpenzimet fillestare për
blerjen e hardverit dhe softverit si dhe angazhimin e konsultantëve që ta
ngrisin sistemin tuaj të ri, por edhe mirëmbajtjen e vazhdueshme dhe shpenzimet
e menaxhmentit. (Në këtë përgjithësisht do të përfshihet marrja e zotimeve
përmes procesit buxhetar përkatës të qeverisë.)
Poashtu duhet ta keni
parasysh përballueshmërinë e çfarëdo teknologjie që ju përdorni. Në shumë
raste, do të dëshironit të siguroheni që teknologjia që dëshironi ta përdorni
për zgjedhjet tjera me radhë do të jetë ende e dobishme edhe në zgjedhjet pas
kësaj. Futja në përdorim e teknologjisë së re për çdo zgjedhje mund të
dëshmohet si e shtrejntë dhe e papërballueshme në afat të gjatë. Nga ana
tjetër, teknologjia është duke përparuar me aq hapa të shpejtë, saqë
teknologjia e këtij viti mund të dalë jasht përdorimit në kohën kur të mbahen
zgjedhjet tjera, pra pas një kohë prej 4 vitesh. Fuqia procesuese e
kompjuterëve personalë është një shembull i mirë se si ’gjendja e artit të
teknologjisë’ mund të tejkalohet në mënyrë rapide nga përparimet e
teknologjisë. Kur ndryshimet janë të shpejta, mund të jetë më ekonomike nga
aspekti i shpenzimeve që merrni me qira pajisje se t’i bleni për t’u siguruar
se i optimalizoni kapacitetet tuaja për çdo zgjedhje që pason.
Duhet të kihen parasysh
edhe faktorët tjerë për të përcaktuar përshtatshmërinë e implementimit të
sistemeve të reja. Ambienti lokal fizik dhe infrastruktura është një shqyrtim i
tillë. Një vend me furnizim të çrregullt me energji, p.sh. nuk mund të jetë një
vend i përshtatshëm për implementim të një rrjeti të gjërë hapësinor të
kompjuterëve personalë që kërkon burime të qëndrueshme të energjisë. Lagështia
e lartë ose nivelet e larta të pluhurit ose zallit poashtu mund ta kufizojnë
zgjedhjen e përshtatshme të teknologjisë.
Poashtu siguria e
teknologjisë së re duhet të mirret parasysh. Sidomos kur përdoret teknologjia
për regjistrim, llogaritje ose transmetim të të dhënave të votimit, teknologjia
duhet të jetë e sigurtë së paku aq sa proceset ekuivalente që realizohen me
dorë dhe do të ishte ideale të kishte më shumë të atilla.
Para se të futen në
përdorim teknologjitë e reja, është më rëndësi të këshillohen me të gjithë
përgjegjësit, të cilët ka të ngjarë të ndikohen nga ata. Personeli i OMZ-së
duhet të jetë i gatshëm dhe i aftë t’i implementojë ndryshimet. Pjesëmarrësit
në procesin e zgjedhjeve, si partitë politike, kandidatët, anëtarët e
parlamentit dhe mediat është e nevojshme të këshillohen nëse ky ndryshim ka
ndikim në to, për shembull, kur shqyrtohet një sistem elektronik i votimit.
Teknologjia e re mund të kërkojë që të bëhen ndryshime në ligjet dhe rregullat
përkatëse të zgjedhjeve. Këto ndryshime duhet të negociohen dhe të garantohen
para se vendosësh për teknologjinë e re.
Nevojitet kohë për
implementimin e teknologjive të reja: koha për konsultim me përgjegjësit, kohë
për identifikimin e nevojave tuaja, kohë për përzgjedhje të teknologjisë
specifike të cilën do ta përdorni, koha për implementimin e sistemit të ri,
kohë për ta testuar për tu siguruar që do të funksionojë në mënyrë efikase kur
ka nevojë dhe kohë për trajnim të atyre që do ta përdorin atë. Është e
zakonshme për OMZ-të që ta nënvleftësojnë se sa kohë do të marrë implementimi i
sistemeve të reja. Saherë që implementimi i sistemit bëhet me nguti, rritet
rreziku që sistemi të dështojë në kohën vëndimtare.
Një grackë tjetër
potenciale është të orvateni të bëni shumë dhe në shpejtësi. Në vend të marrjes
së shtytjes dhe të implementimit në mënyrë rrënjësore të teknologjisë së re
(krahasuar me teknologjinë ekzistuese lokale) me një hap, mund të jetë më e
përshtatshme që gradualisht të implementohet ndryshimi gjatë një sërë ngjarjesh
zgjedhore.
Kur të merret vendimi
për ta implementuar teknologjinë e re, atëherë duhet të hartohet një plan
implementimi. Aty duhet të përfshihen rezultatet që priten, afatet kohore,
ndarjen e përgjegjësive, listat kontrolluese, standardet, kontrollimin e
cilësisë dhe buxhetin e implementimit. Mund të jetë e dobishme që së paku të
ndërmerret një program pilot, për ta testuar sistemin e ri në një shkallë të
ulët. Pas testeve të shkallës së ulët, njëri nga hapat e fundit para se të
vihet sistemi në prodhim, do të mund të bëhej një 'test ngarkues' i shkallës së
plotë, ku sistemi testohet duke bërë një ushtrim të shtirur që të jetë sa më
afër të jetë i mundur atij të vërtetit.
Një aspekt qenësor për
implementimin e teknologjisë së re është trajnimi i atyre që do ta përdorin
atë. Për sistemet që do të përdorën vetëm brenda organizatës do të jetë e
domosdoshme vetëm të trajnohet personeli përkatës. Kur teknologjia përdorët nga
shfrytëzuesit e jashtëm – për shembull, nëse futet në përdorim një sistem i
votimit elektronik – atëherë edhe shfrytëzuesit e jashtëm duhet të trajnohen.
Kur në shfrytëzues të jashtëm hyn e tërë popullata votuese, ky ‘trajnim’ mund
të paraqesë një fushatë masive komunikimi. Koha për mbajtjen e trajnimeve për
shfrytëzuesit duhet të sëndërtohet në planin e implementimit. Çfarëdo
teknologjie, e re ose e vjetër mund të dështojë. Kur implementohen teknologjitë
e reja, rreziku nga dështimi mund të jetë më i lartë se te sistemet e provuara
dhe të testuara.
Për pasojë, duhet të
ekzistojnë planet për rrethanat e papritura në rast se dështon teknologjia. Shpesh
kjo nënkupton pasjen e sistemeve manuale rezervë që mund të futen në veprim me
një paralajmërim të shkurtër, nëse dështon teknologjia. Për shembull kur bëhet
numërimi i fletëvotimeve në mënyrë elektronike, duhet të keni plane për të bërë
të mundur kalimin në numërim me dorë nëse sistemi elektronik dështon. Duhet të
dizajnohen sisteme kompjuterike me sistemet e veta rezervë, për shembull, duke
i përdorur serverët pasqyrues, duke bërë kopje rezervë të të dhënave, si dhe
ruajtjen e kopjeve të të dhënave diku jashtë.
Çfarë tipe të
teknologjive do të trajtohen në këtë fushë tematike?
Nëse merrni në
konsideratë futjen në përdorim të teknologjisë së re për qëllime të zgjedhjeve,
pikë e dobishme fillestare është të keni parasysh se çfarë teknologjie është në
përdorim aktualisht, për çfarë përdoret, kush e përdor atë, dhe çfarë çështjesh
janë shtruar gjatë shfrytëzimit të saj. Hapësira tematike Zgjedhjet dhe
Teknologjia do të shqyrtojnë në këta tipa të teknologjisë që aktualisht
përdorën nëpër botë:
- Sistemet kompjuterike
- Kompjuterët
personalë
- Softveri i automatizimit të
zyrave
- Rrjetet e Zonave Lokale (RRZL) dhe
Rrjetet e Zonave të Gjëra (RRZGJ)
- Teknologjia
e komunikimit, siç janë telefoni/faksi/linjat e të dhënave, radio, televizioni,
mikrovalët dhe satelitët
- Interneti
- Sistemet elektronike të votimit
- Sistemi mekanik i votimit
- Sistemet e skanimit
- Sistemet e identifikimit
- Programet e bazës së të dhënave
- Programet
për përgatitjen e hartave, siç janë Sistemet Informative Gjeografike (GIS) dhe
Sistemet e Pozicionimit Global (GPS)
- Programet audio/vizuale
- Sistemet e dizajnit me ndihmën e
kompjuterit (CAD)
Pas hulumtimit të
teknologjive dhe programeve që aktualisht janë në përdorim, do të hetoni se ajo
çfarë dëshironi ju, nuk është bërë asnjëherë më parë.
Që t’u ndihmoni atyre të
hyjnë shtigjeve të reja, edhe në pjesën ‘Zgjedhjet dhe teknologjia’ bëhen
përpjekje të shikohet njëfarë mënyrë në të ardhmen për atë se çfarë mund të
jetë në gjendje të ofrojë teknologjia, botës së menaxhmentit të zgjedhjeve në
Shekullin 21.